Më lini të dëgjoj gjinkallat.

Po ta dinin gjinkallat që ndonjëherë më duken si kopshtarë të vegjël me gërshërë krasitëse kushedi sa do qeshnin me mua. Pikërisht këtë po bluaja mbrëmjen e djeshme, kur isha aq e përgjumur sa mendoja se sa energji do më duhej të zbrisja shkallët dy e nga dy, të merrja një gotë ujë.
Në ato momente mund të mendoja gjithçka tjetër si e si të mos e mbushja atë të shkretë gotë.
Se kur do të shpëtoj nga ky dembelizëm ndaj vetes time dhe të bërit çdo gjë për të tjerët, unë nuk e di.
Atë natë fjeta pa pirë ujë. Më zuri gjumi ashtu me zhurmat e natës dhe me mushkonjat që përplaseshin pas dritës së abazhurit.
Po sikur gjinkallat të këndojnë natën që ne të mos ndihemi vetëm? Mbase ato e dinë që një heshje absolute kushedi çdo na bënte të mendonim dhe njerëz kështu si unë do bëheshin errësirë brenda tyre.
Njerëz si unë do të thotë njerëz që përjetojnë stres apo dhimbje. Këta njerëz e refuzojnë mendërisht atë ujin në gotë edhe pse shpirtërisht duan një oqean në gotë.
Nuk kam frikë të them që jam një nga ata. E di që kurrë nuk kam bërë shumë për veten time. Dhe e di që ju mërzis dhe ju duke shkruar këto, ama nuk shkruaj se kjo duket bukur, por atë që ndjej duke filluar vetëm një milimetër brenda lëkurës time.
Ç’tmerr!
Po filloj ta dua shumë natën. Ndoshta sepse të gjithë përbindëshat e vërtetë atëherë nisin të flenë.
Ndoshta sepse nuk është askush aty pranë shtratit tim të më thotë që nuk duhet të zhgënjej askënd, të bëj atë që bën prindërit e mi të lumtur, të rri këtu sepse kush di, punon dhe ha, të mos i pres flokët se nuk ngjaj serioze, të mos shkruaj më të tilla budallallëqe…
Oh, miliona të tjera.
Nuk dua të them çfarë nuk shkon me këta njerëz, por çfarë dreqin nuk shkon me mua që ua vë veshin?

A je mirë?
Jam shumë mirë, vetëm sonte më lini të dëgjoj gjinkallat.
💌

Në qiell çelin burbuqe.

Kohët e fundit ndodhën shumë gjëra që kanë trullosur pothuajse gjithë qenien time 22 vjeçare. Çudia më e madhe ishte që mendoja se tashmë isha e trullosur, deri kur ndodhi ajo që ndodhi. Humba ca-goxha copëza shpirti. Megjithatë nuk është se i humba vërtet ato copa, thjesht ikën që unë të filloja të kuptoja që kisha qenë aq e plotë sa ç’duhet të isha dhe aq e mirë sa kurrë se kisha parë veten time deri atë ditë,kur ndodhi ajo që ndodhi.
E di? Ndonjëherë jam shumë dramatike. Aq sa dhe unë se besoj dot. Rruga mund të ketë plot gurë dhe unë ja nis e mendoj sikur janë shkëmbinj të mëdhenj, therës, që të shtypin të bëjnë petë nëse e merr këtë rrugë. Oh, dhe çfarë bën do thoni ju? Rri në vend si një ngordhalaqe dhe mendoj se një ditë do stërvitem aq fort sa do t’i çaj shkëmbinjtë. Dua të them gurët.Guriçkat.
Por kur të jem unë gati, rruga ime nuk do jetë më imja, ja pse i humbas gjithmonë destinacionet.
Herën e fundit, kur ndodhi ajo që ndodhi, mësova se frika më e madhe duhet të ishte vetë frika.
Ajo çfarë ju nuk dini për mua është që mua më tmerrojnë njerëzit. Kjo për vetë faktin se i dua. Dhe kur i do kaq, ke frikë. Frikë se të braktisin, frikë se nuk do kthehen kurrë, frikë kur flasin, frikë kur nuk flasin.
Mbaj mend sesi kur isha pak më pak se kaq sa jam, lexoja sesi duhet të lidhja rripin e sigurimit në avion, kjo vetëm sepse herën e fundit u ndjeva keq kur më pa dikush që nuk dija ta bëja. E mendova aq gjatë, mendova veten time si të paditur, të vogël dhe që nuk di as të lidhë një rrip, jo më të ketë një jetë interesante. Ishte e tmerrshme.
Megjithatë e kam ditur që shpirti im ishte më i madh se trupi im dhe më e madhe se frika ime ndaj botës. Këtë nuk e dyshova kurrë.
As atë ditë kur ndodhi ajo që ndodhi dhe në qiell çelën burbuqe.
Kur ajo iku ndjeva një rrënim të themeleve të mia të frikës. Mendova që jeta ime kishte nevojë për jetë. Dhe unë s’duhet të isha një peshk i zënë në rrjetë, kur mund të isha oqeani. Kështu është kur rri bregut se ke frikë thellësitë.
Megjithatë jam shumë krenare që jam një peshk i zënë në rrjetë dhe kurrë një peshk që do zgjidhja të dilja vetë nga uji.
Ama jam ende këtu apo jo? Kam ende kohë të shpëtoj nga kjo rrjetë.
💌

Verë dhe përsëri verë.

Jam shumë e inatosur. Shumë.
Dua të mar një gotë verë të kuqe, plot me sekrete. Jo më mirë, një shishe. Dhe ta rrëkëllej verën direkt prej qelqit me ngjyrë të errët e të mos e shoh hiç sesa lëng që njom shishen ka mbetur brenda.
Dua edhe të vesh veç një bluzë pak më të gjatë se të zakonshmet edhe të bredh nëpër shtëpinë që s’është as e imja, të hidhem sa tek një divan tek tjetri. Herë pas here të rrëzohem me kurriz në një nga shtretërit e shtëpisë dhe të ngri këmbët lart. Të ndihem mirë që këmbët e mia janë ashtu të vogla dhe unë mund të gjej këpucë kudo.
Të ndihem mirë duke kujtuar që një shoqja e mamit dikur më tha se vajzat me ballin e madh janë vajza me fat dhe të mos kem më frikë t’i kap flokët, për atë Zot!
Edhe atëherë kur një mike më tha se unë kisha shpirt artisteje dhe artistët nuk dorëzohen lehtë.
Dhe dua të bërtas me të madhe që unë jam shumë e lumtur e në mes të fjalisë të kap veten duke i marr erë lëkurës time sikur ndjeva erën më të mirë në botë, kur vetëm pak para kisha hedhur një parfum që as emrin nuk ja mësova kurrë.
Dua të çmendem,dhe pak më shumë sesa të çmendem. Të vij në vete, të pyes çpo bëj, e përsëri të shtrihem rrotullimthi në shtrat duke qeshur.
Të marr një tas me akullore në frigorifer dhe ta përplas derën me këmbë. Ah,sa mirë e nxjerr inatin kur i mbyll dyert me këmbë.
Por ja ku jam këtu, duke vrarë mendjen nëse hija ime do kishte falur kaq shumë sa kam falur unë dhe në fund t’ja kishte nevojën një shisheje plot me lëng harrese.
Mbase duhet të kisha pirë verën e bardhë, transparente. Me siguri ajo do më bënte si veten dhe vetëm atëherë do shpëtoja.
💌

Unë jam një uragan.

“Dhoma jote është rrëmujë. Pastroje të lutem se vijnë njerëz dhe shohin parregullsinë tënde. Je në moshën që të gjithë duhet të shohin që je shumë e zonja, sepse ndryshe do dalin fjalë për ty. Oh, duket sikur ka rënë një uragan i vërtetë këtu brenda. Mblidhi këta libra dhe mjaft shkruajte. Shkrimet e tua nuk do i lexojë askush!
Çe ke këtë që ke veshur? Të vë në pah këmbët e të gjithë do fokusohen tek ti. Hiqe dhe mësoji t’i kombinosh gjërat.
Ke mbetur e shkurtër. Bëj ushtrime dhe ha. Pije qumështin se po harxhojmë lekë për ta blerë. Pse nuk shkon në shkollë sot, e di që je sëmurë,por nëse mungon të tjerët do thonë ja ia vari shkollës tani ajo. Dhe hekurose atë të shkretë këmishë, je femër ti apo çfarë je?
Je një katrahurë ja se çfarë! Kudo që do vendosësh këmbët do e shkatërrosh diçka. E mban mend njëherë kur dolëm për drekë dhe e derdhe gotën e verës në mbulesën borë të bardhë? Edhe një herë tjetër e theve një filxhan nga kompleti im i preferuar. Tregohu e kujdesshme! Një ditë do shkosh në një shtëpi tjetër dhe ata do të të sjellin përsëri këtu.”

Ndoshta jam një uragan dhe ndoshta ja pse uraganët kanë emra femrash. Por unë nuk po shkatërroj asgjë tjetër veç brendësisë time duke u munduar të jem njeriu që të gjithë të tjerët duan që të jem.
Herën e fundit u mundova ta ha gjellën me lugë, por më shijon më shumë me çapa.
U mundova ta mbaj dhomën time në kushte perfekte, por shpresh herë rrobat e mia ngatërrohen me njera-tjetrën siç më ngatërrohen mendimet.
Po kujdesem shumë të mos thyej asgjë që mund të thyhet, përveç shpirtit që e bëra thërrime.
Mundohem që flokët e mia të mos duken sikur sa jam ngritur nga gjumi, por ta pranojmë që herë-herë nuk më binden.
Po mundohem t’i mbaj këpucët ashtu siç thotë gjyshi im, aq të pastra sa të duket pasqyrimi mbi to, por të shumtën e rasteve nuk janë ashtu.
A jeni tani krenar për mua, se unë për veten nuk jam.
Po unë jam një uragan dhe lutem shumë të shpëtoj nga vetja ime dhe nga kjo stuhi tropikale që ma bën lëmsh shpirtin.
💌

Më fal vete që u kujtova për ty veç tani.

U bë kohë që nuk po gjej një arsye, një motiv, diçka që të më bëjë të mendoj se pas këtyre perdeve të mëndafshit drita duket më e bukur.
Të dal të shoh sesi shiu i fundit që ra,i bëri gjethet më të cekëta, plot me pikla dheu, por ato përsëri nuk e ndalin zhvillimin e tyre.
Këtë herë do ta dua natyrën edhe më shumë, pasi më ka munguar. Me siguri edhe unë i kam munguar kopshtit tim edhe pse gjërat duken po të njëjta. Babi me krasitjen si gjithmonë nxiton aq sa nuk i lë akrepat të puthen dhe dyshoj se mami kësaj rradhe nuk e ka kursyer më ujin për vaditje se nuk e ka permendur më që gjoja paska qenë thatësirë.
Ndonjëherë e harroj që mrekullitë janë kaq afër, sa të hapësh derën e shtëpisë. Mbase edhe brenda shtëpisë.
Por të shumtën e rasteve më duket kaq e tmerrshme kjo botë. Po sikur shiu të jetë aq i fortë sa t’i shkundë pemët fare?
Ç’budallallëk të qëndroj këtu me grilat që bëjnë kuadrata drite mbi fytyrën time dhe të mendoj sesa e frikshme duket hëna nga këtu poshtë. Po sikur ta çaja hënën përmes e nga ajo të shpërthenin lule? Si nuk e mendova kurrë këtë? Po sikur hëna të jetë veçse një pinjata plot me ëmbëlsira dhe unë rri këtu pa bërë asgjë. Po unë i dua ëmbëlsirat, çfarë nuk shkon me mua?
Sa e pandreqshme jam!
Por kohët e fundit unë kuptova edhe sesa shumë e dua veten. Kuptova që jeta ka me mijëra grimca dhe unë i lë të shkojnë shumë prej tyre sepse kam frikë t’i kap. Dhe atëherë kur jeta sjell asteroidë dorëzohem, kur mund të kisha bërë vetë me gjithë këto grimca një galaktikë.
Këto ditë kuptova se jam ende në kohë dhe jam gati të krijoj një qiell të tërë dhe në një agim a perëndim,do hipi në katapultën e jetës dhe do fluturoj drejt qiellit tim.
Më fal vete që u kujtova për ty veç tani.
💌