Flluskat e jetës.

Po fryja me sa të mundja të krijoja flluskat e mia të sapunit, kur ti ngrite sytë dhe pe i trembur fytyrën time. Kishe që qëparë që zhvishje të shkretët kallinj misri dhe vendose të më hedhësh një vështrim pikërisht kur isha bërë ngjyrë violë. Bukur! Rrotullova njëherë sytë si për të thënë që edhe nëse qesh me mua nuk më intereson, sepse këto flluska duhet të marrin jetë dhe nuk kam ndërmend të ndal.

Nuk e kuptova kurrë nëse e urreje apo e doje fëmijën brenda meje. Fundja unë nuk e dija as vetë nëse e doja apo urreja, prandaj s’më bënte çudi edhe nëse nuk e gjeja kurrë përgjigjen tënde.

A nuk mendon se ne jetojmë brenda një flluske?- të pyeta.

Fillove?- ma ktheve ti aq shpejt, sikur ta dije që nga hiçi do e nxirrja diçka nga goja ime e madhe që vetëm ankohet.

Aty fillova teorinë time që këto topa të vegjël sapuni janë si ditët e mia që ende nuk i kam jetuar.Presin që unë të marr frymë thellë dhe ti krijoj vetë një nga një. E keqja është se ne nuk e dimë kurrë se kur mund të plasin dhe të zhduken përgjithnjë.

Na i piq ato misra,-të thash sapo dola nga pellgu i mendimeve. Nuk të mbaj më inat. Sot do të të shtrëngoj shumë dhe të jetojmë brenda flluskës tonë të sotme.

Jemi ngrohtë këtu, kemi misra, topa sapuni,një fëmijë plot 22 vjeç dhe një zemër që zhgërrytet pas zjarrit. Kemi gjithçka dhe zor se e kuptojmë apo jo?

Lini një koment