Vrapo Evelinë

Vrapo Evelinë. Shko sa më larg kësaj bote që të ka ngrënë çdo ditë copëza të shpirtit tënd mjaltë.

Ik edhe prej meje që nuk u solla kurrë siç duhet të sillesha dhe sot, kur më ike ,qaj si një i marrë për ty.

Falmë Eva ime. Falmë që çdo ditë të jetës tënde të hoqa nga një rreze diell derisa të lash në errësirë dhe tani s’të gjej dot më.

Lulja ime e bukur. Çe mirë të erdhi nga unë që më deshe kaq fort sa durove çdo fjalë timen të shëmtuar, kur ti ishe e mira,e ëmbla, e bukura Evë.

Qielli im gri ishte ngjyra ime e preferuar ,por tani më kujton ty dhe kjo gri e ndyrë futet në çdo shteg të shpirtit tim. Dhe domosdo e meritoj se nuk ia dita vlerën të verdhës tënde si një diell që ecën rrugëve të Tiranës.

Të mbaj mend sesi më shihje me ata sytë e tu të mëdhenj, që ngahera mbusheshin plot lot të nxehtë vullkan. T’i puthja lotët,por s’paska nxehtësi që depërton tek mua,e di?

A të vrava unë Evelinë? A isha unë më bastardi nga të gjithë?

Ulur në fund të urbanit,ishte hera e fundit kur të pata aq pranë. Zbrite shkallët si një shtojzovalle dhe ktheje kokën pas të ma bëje me dorë. E mbaj mend buzëqeshjen tënde të fundit Eva ime. Ti ishe një ujëvarë me rreze dielli që nuk shteroje kurrë. E kishe gjetur forcën të buzëqeshje dhe pse sytë i kishe të kuq flakë.

Aty më ike,lule. Nga aty s’të pash dot më kurrë.

Dëgjova se Eva ime kishte vdekur. Kishte vdekur dhe unë nuk dita kurrë t’i jepja jetë. 💌

Lini një koment