A jam mjaftueshëm? Më thuaj a jam një arsye për të shkruar për mua? A jam arsye për të dëgjuar muzikën tënde të preferuar,e të thuash pëshpërimthi,dreqin sa e dua?
Sa më lodh ideja që mund të mos jem. Ideja që në këtë tymnajë të shpirtit tim nuk po të gjej dot, nuk po t’i dëgjoj dot hapat.
Ku je? Ku je ti që i mbush fletoret e mia me shkronjat e tua e mendjen time me fjalët që thua?
Mos më lër të mbytem pa të gjetur. Po rend kaq shumë pas teje, po ti i jep këmbëve duke më drejtuar shpinën.
A mund të vdesë zemra e ti ende të marrësh frymë? Të thithësh tymin e zi që po të japin të pish e ti prap merr frymë me shpresën se një ditë do thithësh ajrin më të pastër në botë e shpirti yt do vijë aromë levande.
Ah,mjerë unë!
Po mjerë më shumë ti që nuk më le kurrë ta ktheja tymin në aromë e të shihje fushën time të levandave.
A jam mjaftueshëm? A jam një shpresë,një ëndërr, një fije jetë për ty? A më mban poshtë jastëkut tënd, me mendjen mbushur plot frymë e sa herë frymon mendon veç dy sy?
Sa më lodh ideja që nuk jam. Se ti mjeshtërisht fsheh gjithçka që më duhet mua të jem e gjallë.
E unë rri e gjallë që t’i dëgjoj një ditë fshehtësitë e tua. 💌