Pranverë.
Dita e pestë që sytë e mi kanë rënë në dashuri. Sot nuk jam e trishtuar e di? Sot, dhe 4 ditë te tjera nuk i flas më vetes,nuk e kritikoj më, vetëm i kam shprehur dashurinë time si asnjëherë tjetër.
Sa e lumtur jam që mundem të shoh. Sa e lumtur jam që mund ta mbush shpirtin tim duke parë lulet e kumbullës, të pjeshkës,të mollës.
Sa e lumtur jam që mund të eci, të vrapoj dhe këmbët e mia,në dukje veshur, por në shpirt zbathur,të rendin pas luledeleve. Kam parë yje që bien ditën, dritë natën dhe një stuhi me zogj që presin rrugën time e më kujtojnë sesa bukur është të fluturosh.
Gjithmonë në shkrimet e mia jam diçka.
Sot kam zgjedhur të jem një lule. Jo një lule cfarëdo, një lule e lirë.
Dua të rritem kudo. Dua të jem si ato lulkat verdharake që gjejnë forcën të mbijnë edhe në një grimcë tokë mes hapësirave të trotuarit.
Kam aq shumë petale sa lojën më do-nuk më do mund ta bëj veç unë për veten time,askush tjetër.
Dhe unë kam plot pesë ditë që e dua aq shumë veten time, i dua aq shumë petalet e mia, që të gjitha një nga një.
Jam kaq e lumtur që mundem të çel kuturu, që e shoh të bukurën edhe në rrënojat e një lufte shekullore me shpirtin.
Jam e lumtur që kam forcën të ëndërroj, edhe atëherë kur ëndrrat duken të pashpresa. Unë dua t’i jap jetë si të jenë foshnjat e mia të mendjes dhe të vijnë duke qeshur me të madhe që ja dolën në këtë botë ku njerëzit hanë paturpësisht ëndrra të sapolindura.
Nuk ndjej mllef për ta, ndjej dhimbje që s’mund të ushqejnë dot veten me të tyret.
Ah,botë.
Jam shumë e lumtur vërtetë.
Jam shumë e lumtur që ti je kaq e katranosur, sepse më bën ta dua veten më shumë.
Lulka sot po çel edhe në një shteg tjetër dhe do ta bëj çdo ditë kur ata këpusin një si unë.
Çdo ditë njëjtë ata, ama njëjtë dhe unë.
Derisa një ditë do të çel mbi një re që ka thithur gjithë ngjyrat e perëndimit të më ushqejë mua,të më ngjyrosë petlat me to,mua,lulen verdharake.
Sot jam shumë e lumtur, e lumtur që frymoj, e lumtur që mund të shoh përtej degëve të pemës qiellin, e lumtur që mund të ha kumbulla sheqeri, e lumtur që mund t’i kap flokët me fjongon time të kuqe.
Ah, botë.
Sa bukur të jesh e lumtur.
💌
Shkruar më 5 mars 2019.
