Skerdës.

Kisha zbrazur plot pesë gota verë dhe isha ngopur me pesë gota trishtim. Kur i pesti trishtim më shtrëngoi fort në kraharor ndjeva se duhet ta lija me kaq. Veçse dhimbja ishte aq e fortë sa nuk dija cilën të lëshoja më parë, jetën apo gotën.

Ndjeva një boshllëk që endej deri në grykë dhe e kapërdija duke vënë në punë gjithë muskujt që mundja. Ama dukej sikur rrinte përherë aty. Kishte bërë strehë tek unë dhe nuk dija të bëja asgjë për këtë.

Gjithmonë isha munduar të gjeja njerëz që të mbushnin boshllëkun tim si të mbushësh një kaush me akullore. Të vinin lumturinë ashtu si një top i ëmbël sipër kaushit të zbrazët.

Ndonjëherë në mes të shkrimeve qaj, ndal për pak kohë e ia nis përsëri broçkullave sesi gjithmonë kam dështuar në gjetjen e lumturisë sime. E kam kërkuar kaq shumë kohë në vend të gabuar, sa humba dhe veten me gjithë kocka gjatë kërkimit.

Dhe pikërisht atëherë kur isha gati të bëhesha pluhur, kuptova ku duhet të kërkoja. Kë.

Atë vajzën e vogël,që i gëzohej një qershorit më shumë se fëmijët e tjerë. Me sytë e mëdhenj të kafenjtë që nuk i bëhej as t’i përpëliste se aq shumë e lumtur ishte a është (kushedi), që mund të shohë sesi kalojnë njëra pas tjetrës kabllot telefonikë dhe i ka kaq zili zogjtë që zgjedhin gjithmonë pikat më të larta ta shohin gjithë natyrën që ajo dashuron.

Edhe xhami i autobuzit këto kohë më ka qëlluar i veshur në avull, si e si të mbytem në mendimet e mia. Por e di sesa shumë dua të jetoj, të qesh, të ndjej, kur mundohem aq shumë ta përfytyroj gjithë rrugën që kam parë, sa e sa herë, për në Tiranën mbytëse.

Sytë e mi nuk janë veçse të mëdhenj, jane të etur për pak jetë. E mbase goja ime ka harruar për një kohë të gjatë të qeshë, por sytë e mi nuk harruan kurrë.

Kur në xham të bjerë trishtimi,

E as hijen tënde se do pranë,

Shko me zogjtë fluturimthi,

Bjeri botës anë e mbanë.

Bëhu pemë, diell a det,

Ç’të duash, nuk ka rëndësi.

Veç duaje më shumë veten,

Çel filiza përsëri.

Skerdës 💌

Lini një koment