Sot bëra një porosi të veçantë veç për qejfin tim.
Ndonjëherë e ndjej sesa shumë e dua veten time dhe sesa shumë meriton ajo, por të shumtën e rasteve e harroj.
Por nuk pendohem kur i zhubros mendimet e mia, për dikë tjetër që ka shumë nevojë t’i jap gishtin e vogël të dorës e t’i premtoj që do shkojë gjithçka mirë.
Unë jam Eva. Më pëlqen të lëpij gishtat kur mbetet pak çokokrem ndër to. Ndonjëherë më pëlqen edhe të ha dy pjata plot me brokoli me limon e kripë. Më pëlqen edhe të lë njërën këmbë jashtë shtresave se ashtu e gjej rehatin. Ama nuk më pëlqen gjella me bizele dhe as të më përthyhen fletët e një libri. Nuk më pëlqen kur humbas fillin e ngjitësit dhe as të dëgjoj zhurmën e një borie më tepër se 5 sekonda.
Në të shumtën e rasteve jam njeri i çuditshëm dhe mendoj sesa mirë do ishte të isha një police rrugore apo një postiere. Në mes të ecjes në këtë botë paçavure, unë mendoj sikur kam njolla të portokallta në fytyrë apo sesi do më dukeshin gishtërinjtë po të vishja sandale.
Këto ndodhin kur nuk e harroj veten.
Kur e harroj, më ndodh të merrem me ndonjë mace që vjen përgjatë këmbëve të mia, por nuk i vjen për mbarë të hajë byrekun me proshutë. Mbase do vetëm proshutën, kushedi. Dhe unë mendoj po njerëzit a janë kështu? A duan ata veç proshutë edhe pse janë të pangrënë? A duan ata më të mirën edhe pse nuk mundohen fare të bëjnë një përpjekje për të?
Sa lodhem. Sa lodhem që vrapoj t’u gjej ushqim, kur ata veç rrinë shtrirë aty e kërrusen në bar të njomë. Po flas për ata që kanë harruar se çdo të thotë të vraposh për veten tënde edhe në këtë zagushi, për ata që zënë një hije dhe nuk shkunden nga aty derisa dikush t’u sjellë pak ujë për t’u freskuar.
Unë jam Eva. Mua më pëlqen të kërcas gishtërinjtë dhe të kombinoj çantën me këpucët. Më pëlqen të shoh flutura të bardha dhe të vendos karfica me ngjyra të ngjashme. Ama nuk më pëlqen të dëgjoj funde jo të lumtura, as të vesh shapka një numër më të madh apo të tërheq valixhen në trotuar.
Sot nuk e harrova asnjë moment veten time dhe di të them që këto janë florinjtë që do i fshihja me krenari në qyp e t’i groposja në dhè të zemrës time.
Kam mësuar sesa lumturi e madhe është të mësosh për veten,të dëgjosh veten,të pyesësh veten.
Unë jam Eva. Unë ndonjëherë i gëlltis bërthamat e shalqirit, nuk i hedh asnjëherë biletat e urbanit në tokë dhe blej gjithmonë nga një bllok të ri dhe pse e di që s’do e shkruaj kurrë.
Më pëlqen që bukën ta marr gjithmonë të prerë, më pëlqen akullorja më shije limoni dhe madje më pëlqen të blej ç’të gjej në ngjyrë rozë pastel.
Ama nuk më pëlqen të ha xinxife shumë të pjekura, as t’i mbaj librat në dorë dhe madje nuk më pëlqen të rri kot.
Unë jam Eva dhe jam shumë e lumtur që jam ajo.
Veç ta dini sa e dua Evën!
Ps: Të gjithë kemi një Eva brenda nesh që meriton të duhet shumë-shumë. Çelini filiza shpirtit tuaj! 🌱❣
