8 Mars

Në këtë 8 Mars,

ç’të më duhet, nënë,

kur për prag të derës

malli më ka zënë.

Ika plot kureshtje,

mendova: më pret e mira,

po rrugët e kurbetit, nënë,

qenkan tejet të vështira.

Koha ecën pa u ndalur,

kam ndaluar vetëm unë,

e në mërzinë time, o nënë,

rri dhe ndonjëherë pa gjumë.

Mendoj kur isha ende fëmijë,

në ato rrugë të vjetra sa luaja.

Këtu, edhe me flori të jenë,

prapë do mbeten rrugë të huaja.

Lumturinë që kisha atje

e shita për disa para më tepër,

po nëse do të kthehem një ditë,

dua të jem Skerda e vjetër.

Dua të qaj kur të rrëzohem

dhe ti të më bërtasësh më shumë:

“Pse kollitesh, mos po ftohesh?”,

të më vësh sërish në gjumë.

Dua të mbush ujë te çezma,

të dal në oborr kur kalon treni,

e në gusht të vjelim rrushin,

pastaj te gjyshërit do të vemi.

Eh, tani jam këtu, o nënë,

në pellgun tim të mërzisë,

po ditën kur të kthehem unë

do sjell dallgë të lumturisë.

Rrudhat më sjellin ndërmend

se koha ecën dhe njësoj më s’jemi,

po për mua sa mirë, o nënë,

njëri-tjetrin që e kemi!

Lini një koment